“O Zot të lutem mbroji të gjithë njerëzit e kësaj toke e na rikthe sa më parë në ‘normalitetin tonë’”.
Përditshmëria e ajo rutina e mërzitshme, ku të duhet të çohesh herët në mëngjes nga alarmi i telefonit, pasi ke shtypur butonin snooze më shumë se tri herë, të blesh kafenë tënde të preferuar e t’i thuash vetes çdo ditë “ nesër do marr termusin”, të shkëmbesh nja dy të shara mes rradhës së gjatë të trafikut a thua se vetëm ti je me vonesë, të hysh në zyrë me stil e pa u ndjerë, megjithëse të tjerët shikojnë nga ora me shikime qortuese sepse je vonë… të gjitha këto, mungojnë kaq shumë tani.
Sikur të na duhej të rrinim në shtëpi veç dy ditë, do kisha kërkuar tre! Por, me sa duket kjo nuk është as zgjidhje e as zgjedhje! Fundi i kësaj situate duket po aq i pa parashikueshëm si vetë moti i Londrës! Çdo ditë raportohen jetë të humbura njerëzish nëpër botë…kudo e kaq shumë!
Tashmë, Corona është realiteti edhe e përditshmja jonë! Ne flemë edhe zgjohemi me shifra që shtohen përditë, duke mos e ditur nëse ne mund të jemi individi i rradhës që mund të rezultoi pozitiv.
Këtë javë na u desh të lëviznim e të shkonim të jetonim në një shtëpi tjetër. Pra, karantina e vonuar filloi për ne, në banesën e re, plot punë, rafte për të pastruar e dhoma për të rregulluar, si një lloj terapie në këtë ajër të rënduar.
Së bashku me paketimet e kutitë e pafundme prej kartoni, u mundova të marrë me vete edhe kujtimet tona. Edhe kur isha shumë e vogël na është dashur të ndërronim shpesh shtëpi, pasi për vite me rradhë jetonim me qera. Sa herë që na është dashur të paketonim, i thoja mamit me shaka se ky është një proces shumë i këndshëm, pak a shumë si ajo ndjenja kur paketon valixhen për të shkuar me pushime.
Mendo për një çast o mam, sa e mërzitshme do të ishte jeta të rrije gjithmonë në të njëjtën shtëpi, të flije gjithmonë në të njëjtën dhomë; po sikur të mos të të pëlqenin shokët e lagjes apo shkolla më e afërt? Jo, jo ne duhet të lëviznim e të gjenim miq të rinj, komshinj të mirë në të gjithë Tiranën, të mësonim rrugë e rrugica pafund, dyqanet më të mira të akulloreve e shumë të tjera si këto.
E kisha shumë të vështirë ta bëja sadopak argëtues këtë transferim këtë rradhë në kohë pandemie, sado që vajza jonë u gëzua pa masë për kopështin tonë të vogël pas shtëpisë së re, pasi ajo e do shumë natyrën. Këtë rradhë do të qëndronim bashkë më gjatë në shtëpi e rutina jonë do të ndryshonte.
Rrëmbyer nga përditshmëria, momenti kur më duhej të pikturoja me vajzën time ishte kaq i shkurtër sa mund të vizatonin jo më shumë se tre figura. Ne të dyja jemi detajiste, ndaj ia qëndisnim bukur krahët fluturës plot ngjyra; kujdeseshim shumë për petalet e lules që të ishin simetrike e po kështu një pulë bufalaqe që e nisnim për zog i mbaronim për 10 minuta.
Tani ne kemi 10 orë në dispozicion që presin kreativitetin tonë të jetë në kapacitetin maksimal, por në kushte të limituara. Kjo më ngjan shumë me ato kombinimet e matematikës, që as nuk dua të mendoj për rezultatin se kam frikë mos e përllogaris gabim. Çdo ditë është një sfidë e vërtetë se si ta bëjmë të ndihet thjesht si një ditë “normale”. Duket sikur bota ndali për një çast e u krijuan dy epoka të reja: jeta para edhe pas Coronës.
Besoj secili nga ne e mori një çast për të reflektuar… Përtej shakave e meme-ve në mediat sociale që i bëjnë njerëzit të përhumben mes grimcash gazi, Corona na bëri të reflektojmë për këtë stad të jetës ku jemi, çfarë kemi arritur, kë kemi përkrah, çfarë na gëzon vërtetë e për çfarë na merr malli më shumë.
Dikush reflektoi mbi pasionet e tij, dikush punoi për herë të parë nga shtëpia, dikush zbuloi një talent për gatimin, ndoshta dikush filloi të vlerësoj më shumë dikë, por dikush tjetër ndoshta humbi durimin; dikush zbuloi tradhëtinë e shumë të tjerë ndoshta rigjetën dashurinë…
Mbi të gjitha, Corona na bëri të qëndrojmë bashkë pa kushte e pa justifikime, shkruan class. Na bëri të qëndrojmë bashkë jo vetëm në familjet tona të vogla, por të gjitha shtetet, të gjitha kombësitë si një trup i vetëm ndaj një virusi me kurorë për ta rrëzuar nga froni.
- Koronavirusi, 11 viktima dhe 223 persona të prekur
- Ndërron jetë futbollisti 14-vjeçar nga koronavirusi