Një tigër preket nga COVID-19

Një tigër në kopshtin zoologjik të Nju Jorkut ka rezultuar pozitiv në testin për virusin vdekjeprurës COVID-19 dhe tre kafshë të tjera kanë shfaqur po ashtu simptoma të këtij infeksioni të sistemit të frymëmarrjes.

Nadia, një tigër femër katër vjeçe dhe tre luanë afrikanë, që qëndrojnë në Kopshtin Zoologjik të Bronksit, kanë shfaqur kollë të thatë. Që të katër kafshët pritet të shërohen.

Sipas Departamentit Amerikan të Agrikulturës, i cili konfirmoi rezultatin pozitiv të Nadias, ky është rasti i parë i infektimit të një kafshe me koronavirus në Amerikë dhe i pari rast i infektimit të një tigri në botë.

Sky News, i cili citon burime nga kopshti zoologjik, raporton se katër kafshët shfaqën një rënie të nivelit të oreksit, por gjendja e tyre e përgjithshme është e mirë.