Header

Edhe Tetori rekord si muaji më i nxehtë

Ky vit po konsolidon çdo muaj që kalon, pozitat si më i nxehti në histori. Agjencia Europiane Kopernikus që mbikëqyr ndryshimet klimatike renditi edhe Tetorin si muajin më të nxehtë deri më sot, pasi të njëjtët vlerësime u dhanë edhe për Korrikun, Gushtin dhe Shtatorin.

Tetori i këtij viti ishte 0.4 gradë Celcius më i nxehtë se ai i vitit 2019, që mbante rekordin e deritanishëm. Ekspertët e klimës thonë se edhe dy muajt e mbetur të këtij viti, ka pak gjasa ta ndryshojnë këtë trend. Rritja e temperaturave pritet të vijojë edhe përgjatë 2024-ës.

Madje, ekspertët e Agjencisë Europiane Kopernikus thonë se vera e këtij viti mund të ketë qenë me e nxehta në 120 mijë vite.

Studimet e mëhershme tregojnë se aktiviteti i njeriut ka bërë që rritja e temperaturave të jetë shumë pranë kufirit prej 1.5 gradë Celcius të rritjes mesatare krahasuar me periudhën para-industriale, të përcaktuar në samitin e Parisit për klimën në 2015-ën, kufi që nëse kalohet mund të ketë pasoja katastrofike për njerëzimin.

You may also like ...