Header

Dëmtohen ulëset në stadiumin “Air Albania”

Federata Shqiptare e Futbollit ka dënuar sjelljen e disa tifozëve në ndeshjen Kukësi – Tirana, të cilët kanë dëmtuar ulëset e stadiumit “Air Albania”. Në një reagim, FSHF i konsideron këto sjellje si të papranueshme dhe vandale, që nuk kanë asnjë lidhje me synimin për t’i kthyer ndeshjet e kampionateve tona në festa futbolli.

FSHF thotë se këto akte vandale përbëjnë shkelje ligji, ndaj kërkojmë që personat përgjegjës të përballen me ligjin.

“Pas verifikimeve të kryera nga administrata e Air Albania Stadium, rezulton se janë dëmtuar 164 ulëse, nga të cilat 145 nga ana e tifozëve të Tiranës dhe 19 nga ana e tifozëve të Kukësit. FSHF ka tashmë të dokumentuara me video dhe foto personat konkretë që thyejnë ulëset dhe i flakin ato në fushë duke dëmtuar sportdashësit e tjerë si dhe duke rrezikuar edhe jetën e zyrtarëve të ndeshjes si dhe futbollistëve. FSHF, nëpërmjet një kërkese zyrtare, i ka kërkuar policisë së Tiranës ndalimin dhe arrestimit e këtyre personave dhe tashmë ka nisur procedura nga ana e forcave të rendit. Federata e Futbollit bazuar te ligji, do të publikojë në stadium fotot dhe videot e personave që ushtrojnë dhunë në mjediset sportive”, thuhet në njoftimin e FSHF.

Po ashtu FSHF u bën thirrje klubeve dhe grupeve të tifozerive të marrin masa dhe të respektojnë rregullin dhe ligjin në cilëndo hapësirë sportive të vendit.

“Komisionet në FSHF do të veprojnë në bazë të rregulloreve të brendshme duke marrë masa kundër këtyre shkelësve. Kërkojmë nga Policia e Shtetit që t’i shoqërojë personat përgjegjës në bazë të ligjit në fuqi, në mënyrë që ata të dalin para drejtësisë”, thuhet më tej në njoftim.

Duke kërkuar mirëkuptimin e tifozerive, FSHF bën thirrje që stadiumet të kthehen në mjedise familjare, ku mbizotëron festa sportive dhe jo dhuna dhe aktet vandale.

You may also like ...