Arkitektja shqiptare prodhon maska falas për mjekët

Një nismë tërësisht e re dhe inviduale që ia vlen të duartrokitet gjatë! Një arkitekte nga Kosova dhe i ati i saj, kanë vendosur që të prodhojnë maska me printera 3D që tu vijnë në ndihmë mjekëve që janë pozicionuar në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit si në Kosovë, edhe në Shqipëri.

Këto maska minimizojnë në maksimum kontaktin e mjekë ve me pacientët që sot më shumë se kurrë kanë mbushur spitalet në të dyjave vendet për shkak të prekjes nga ky virus i tmerrshëm. Nisma është quajtur “Face Shield Mask” dhe drejtohet nga profesori i njohur i inxhinierisë në Kosovë, Shaban Buza dhe e bija arkitekte Dea Buza. Atyre u janë bashkuar vullnetarisht edhe një grup arkitektësh që po japin gjithë idetë dhe energjitë e tyre në zhvillimin dhe finalizimin e këtij projekti.

Maska ka një rreth plastik në të cilën i bashkohet një fletë plastike e tejdukshme. Kjo garanton më tepër siguri për mjekët dhe më pak kontakte me pacientët me Covid-19.

Modeli i propozuar nga grupi i arkitektëve, riprodhohet me printer 3D bazuar në një projekt të siguruar nga bashkëpunimi i profesor Buzës me Universitetin e Transilvanisë në Rumani dhe Universitetit Politeknik të Valencias në Spanjë.

Në Shqipëri nisma është mbështetur nga një grup arkitektësh të rinj si Albano Guma, Dardan Vukaj e Gerti Struga, të cilët me studiot e tyre Lumina Architecture, Extrude It dhe “VIP Tie & ONUS” kanë nisur të prodhojnë dhjetëra maska.

Dea Buza, e cila po koordinon punën në Shqipëri, ka vendosur kontakt me Dr. Arben Gjatën, rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, i cili i ka bërë me dije se Qendra Spitalore Universitare e Tiranës (QSUT) ka nevojë për së paku 500 maska të tilla.

Për të krijuar mesatarisht 25 maska një printer 3D kërkon 1 kilogram filament që kushton rreth 20 euro.

Aktualisht janë riprodhuar dhe dorëzuar 100 maska, të cilat do t’i shpërndahen fillimisht QSUT-së, qëllimi është që brenda muajit prill të krijohen të paktën 1000 maska.

Nisma është vullnetare e jofitimprurëse dhe për këtë të rinjtë kanë bërë thirrje që gjithkush që ka mundësi të vërë në punë printerë 3D, apo të mbulojë koston e materialeve të para t’i bashkohet grupit, ose të kontribuojë në mbledhjen e fondeve.
Kliko këtu nëse do të kontibuosh.
https://www.paypal.com/paypalme2/FaceShieldMaskAL