Në të gjitha territorin, Policia e Shtetit ka ndëshkuar me gjobë 10 mijë lekë 157 qytetarët, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.
Po ashtu j anë evidentuar 8 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti
Po ashtu policia thotë se është ndëshkuar me masë administrative 500 000 lekë, 1 shtetas, pasi është futur pa leje në ambientet e urgjencës mjekësore, për të parë familjarin e tij.
Ndërsa në të gjithë vendin janë konstatuar 7 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative.
“Nga sot e në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.
Policia thotë se nëse konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre.
Policia e Shtetit apelon të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.