Header

Hyn në fazën e fundit puna e rindërtimit në Katedralen “Notre Dame” në Paris

Pesë vjet pasi një zjarr shkatërrues përfshiu Katedralen Notre Dame të Parisit, vizitorët janë gati për të parë një nga monumentet më simbolike dhe më të vjetra të qytetit, që pritet të hapet në fund të këtij viti. Rindërtimi dhe restaurimi i katedralesë ikonike është në fazat e fundit dhe ajo pritet të hapet për vizitorët pas Lojrave Olimpike, që këtë vit do të mbahen në Paris.

Disa ditë pasi bota ishte dëshmitare e rënies së kullës më të lartë të Katedrales Notre Dame gjatë zjarrit të prillit 2019, Presidenti Emmanuel Macron njoftoi se Katedralja do të rindërtohej brenda pesë viteve.

“Unë po ju them solemnisht sonte: kjo katedrale do të rindërtohet nga ne të gjithë së bashku. Dhe ndoshta është pjesë e fatit të Francës dhe do të jetë projekti ynë për vitet në vijim. Unë jam i përkushtuar për këtë”, tha ai.

Rindërtimi do ta rikthente në gjendje origjinale veprën historike arkitekturore katolike romake, një vendim i mbështetur edhe nga turistët që vazhdojnë të vijnë ta shohin atë nga jashtë.
Zjarri në katedralen mesjetare katolike më 15 prill të viti 2019 tronditi botën. Për shumë besimtarë të të gjitha feve, ishte një tragjedi.

Punëtorët në Francë dhe madje edhe Gjermani po punojnë për restaurimin e katedrales dhe realiziimin e misionit të rihapjes së saj në fund të vitit. Tani për tani, vizitorët mund ta shohin katedralen nga jashtë dhe artefaktet e saj në ekspozita të veçanta.

Rihapja e pritshme e katedrales ikonike do të pasojë Lojërat Olimpike, që në verë të këtij viti do të mbahen në Paris.

You may also like ...