Header

Mot me diell dhe kthjellime, temperatura deri në 33 gradë celsius këtë javë

Për javën që presim përpara vendi ynë do të ndikohet nga kushte kryesisht të qëndrueshme atmosferike si pasojë e aktivitetit të dy anticikloneve (periferia e Anticiklonit të Azoreve dhe Anticiklonit Afrikan). Megjithatë nuk do të mungojë edhe depërtimi i qendrave të presionit të ulët të cilat do të sjellin një paqëndrueshmëri të lehtë.

Në këtë mënyrë për pothuasje të gjitha ditët moti parashikohet me kthjellime si dhe alternime vranësirash kalimtare të cilat hera-herës do të jenë deri të dendura (duhet thënë me këto të fundit kryesisht në relievet malore në lindje të territorit).

Vranësirat e dendura do të shoqërohen kryesisht me reshje shiu të dobëta dhe afatshkurtra në relievet malore në lindje. Por, për ditën e Martë dhe atë të Mërkurë reshjet e shiut me intensitet të ulët do të përfshijnë edhe zonën e veriut dhe qendrën. Në periudha afatshkurtra këto reshje në këto zona do të jenë edhe në formën e shtrëngatave.

Temperaturat si në vlerat e mëngjesit ashtu dhe ato të mesditës parashikohen të jenë në vlera “normale” të mesatareve klimatike mujore për vendin tonë përjashtuar këtu ditën e Hënë dhe atë të Martë ku për shkak dhe të erës jugore pritet të kapin vlera deri në 33 gradë celsius në zonat e ulëta.

Vlen për tu theksuar fakti se për shkak të lagështirës së lartë në ajër do të përjetohet efekti zagushi ku temperaturat do të përjetohen disa gradë më të larta për trupin e njeriut se ato të regjistruara në kafazin meteorologjik.

You may also like ...