Header

Spanja bllokon Telegramin

Gjykata e Lartë në Spanjë ka bllokuar aplikacionin e mesazheve, Telegram. Vendimi erdhi pas një ankese të organizatave mediatike se kjo platformë po lejonte përdoruesit të ngarkonin materiale pa lejen e tyre. Spanjollët janë lënë pa akses në aplikacion të paktën për momentin pasi Gjykata e Lartë e urdhëroi diçka të tillë si masë paraprake.

Katër grupet më të mëdha mediatike në vend, Mediaset, Atresmedia, Movistar dhe Edega, u ankuan se në aplikacion shpërndahej pa autorizim përmbajtje e krijuar prej tyre dhe e mbrojtur nga e drejta e autorit.

Telegrami është aplikacioni i katërt më i përdorur i mesazheve në Spanjë dhe tashmë që prej të Hënës nuk do të jetë më në dispozicion të qytetarëve. Gjyqtari i çështjes kërkoi që kompania që zotëron aplikacionin të dërgojë informacione në kuadër të kësaj dosje. Por Telegrami nuk iu përgjigj kërkesave të Santiago Pedraz dhe ky i fundit urdhëroi bllokimin e aplikacionit.

Siç shkruajnë mediat ndërkombëtare ky vendim është i përkohshëm dhe do të zgjasë vetëm disa ditë. Shumë përdorues të aplikacionit kritikuan vendimin. Megjithatë gjyqtari tha se vendimi erdhi si pasojë e mungesës së bashkëpunimit nga kompania.

Spanja nuk është vendi i vetëm që ka bllokuar Telegramin. I pari që e çaktivizoi ishte Kina në vitin 2015 pasi u përball me shumë mesazhe që kundërshtonin regjimin komunist. Për të njëjtat arsye një vendim të tillë kanë marrë edhe vende si Tajlanda, Pakistani, Irani dhe Kuba.

You may also like ...