Header

Gjoba të majme në rast shkeljeje, Italia ashpërson rregullat për influencerët

Italia ka vendosur të rregullojë sektorin e influencerave në rrjetet sociale për të mbrojtur integritetin dhe për të shmangur reklamat mashtruese.

Pas një muaji polemikash për një reklamë Krishtlindjesh nga Chiara Ferragni, Rregullatori për Komunikimet ka njoftuar se do të fillojë t’i trajtojë këta profesionistë dhe llogaritë e tyre si media.

Aktiviteti i tyre do të mbikëqyret nga Autoriteti Italian i Komunikimit (AGCOM).

Fillimisht rregullat do të aplikohen për influencerët me më shumë se 1 milionë ndjekës. “Perëndimi i egër i influencerëve ka marrë fund. Po e nisim me të mëdhenjtë, por edhe të tjerët do duhet të përshtaten”, tha drejtuesi i AGCOM, Giacomo Lasorella.

Influencerët e famshëm do të përballen me gjoba të majme nëse nuk shpjegojnë qartësisht bashkëpunimet e tyre me markat ose sqarojnë interesat komerciale.

Propozimet e politikave të reja synojnë të mbrojnë edhe fëmijët pasi rregullat përcaktojnë se nëse influencerët nuk reklamojnë si duhet bashkëpunimin me markën, mund të marrin një gjobë deri në 250.000 euro.

Në një deklaratë, AGCOM tha se masat do të prekin “komunikimin komercial dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njerëzve, të të miturve dhe mbështetjes së vlerave”. Në rastin e vendosjes së produktit, “influencerët duhet të paralajmërojnë për natyrën reklamuese të postimit”, thotë deklarata.

You may also like ...