Header

iPhone 12 i rrezikshëm? Franca ndalon shitjen e tij!

Autoriteti francez për kontrollin e niveleve të rrezatimit, ka ndaluar shitjet e telefonit iPhone 12 të kompanisë Apple, pas testeve që sipas saj tregojnë se i kishte shkelur kufijtë e lejuar në Evropë të ekspozimit ndaj rrezatimit.

Të martën, mbikëqyrësi francez që drejton frekuencat e radios, i kërkoi gjithashtu gjigantit të teknologjisë që të rregullonte telefonat ekzistues.

ANFR e ka këshilluar Apple që nëse nuk mund ta zgjidhë problemin nëpërmjet një përditësimi të softuerit, duhet të tërheqë çdo iPhone 12 të shitur në vend, (i cili u lëshua për herë të parë në shtator 2020 dhe ende shitet në mbarë botën).

Apple tha për BBC-së se kundërshton rishikimin e ANFR-së dhe se rezultatet laboratorike tregojnë se pajisja është në përputhje me të gjitha rregullat përkatëse.

Jean-Noel Barrot, ministri i Transmetimit Digjital dhe i Telekomunikacionit në Francë, foli për gazetën franceze “Le Parisien” dhe sqaroi se vendimi ishte për shkak të niveleve të rrezatimit mbi pragun e pranueshëm.

“Apple pritet të përgjigjet brenda dy javësh. Nëse ata nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë, unë jam i përgatitur të urdhëroj një tërheqje të të gjithë iPhone 12 në qarkullim. Rregulli është i njëjtë për të gjithë, përfshirë gjigantët digjitalë”, theksoi ai.

You may also like ...