Donald Trump e vuri në lojë akademinë e arteve dhe shkencave në Shtetet e Bashkuara për faktin se në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oskar, nderimin kryesor e mori komedia e zezë koreano-jugore, “Parasite”.
Edhe pse një fitore e këtij filmi u konsiderua si historike, duke qenë se ishte hera e parë që një krijim i huaj kinematografik arrin të rrëmbejë çmimin prestigjioz, për presidentin amerikan, ai duket, nuk ishte i mirë mjaftueshëm.
“Sa keq ishin çmimet Oskar këtë vit, e patë? Dhe fituesi është…një film nga Koreja e Jugut! Çfarë dreqin ishte kjo? Kemi boll probleme me Korenë e Jugut për tregtinë, e ata shkojnë e i japin çmimin e filmit më të mirë të vitit”, tha Trump.
Në komentet e bëra gjatë një tubimi në Kolorado, presidenti tregoi dhe preferencat e tij në këtë drejtim.
“Mua më pëlqejnë gjëra si “Bashkë me erën”, a s’mund të na e ktheni “Bashkë me erën” ju lutem, ose “Sunset Bulevard”. Ne kemi kaq filma të bukur, ndërkohë që sot fituesi është nga Korea e Jugut. Mendova se do të ishte filmi më i mirë i huaj, por jo, ai u shpall më i miri nga të gjithë!”
Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk u ndal me kaq, por fshikulloi edhe idhullin e shumë femrave sot në botë, aktorin e famshëm hollivudian Brad Pitt, i cili mori Oskarin për rolin më të mirë dytësor. Trump deklaroi se nuk ka qenë kurrë “adhurues i tij”.