Header

Rinis gjyqi ndaj Weinstein, rrezikon burg përjetë

Rinis “gjyqi i famshëm” ndaj producentit, Harvey Weinstein.

Producenti i njohur i Hollywoodit përballet me akuzat se ka sulmuar seksualisht një grua në një dhomë hoteli në Manhatan në vitin 2013 dhe se ka kryer akte seksuale me forcë me një grua tjetër në 2016-n.

Edhe pse Weinstein nuk ka pranuar akuzat dhe insiston se marrëdhëniet kanë qenë me konsensus, sipas “BBC” provat ndaj tij janë të forta dhe nëse dënohet, rrezikon dënim të përjetshëm.

Më herët prokurorët kanë kërkuar që gjithashtu 75 gra, të cilat kanë akuzuar publikisht Weinstein për sjellje të pahijshme seksuale, të dëgjohen nga juria. Por ato u tërhoqën pasi Weinstein, dhe avokatët e tij arritën një marrëveshje për t’i kompensuar me 44 milionë dollarë.

Skandali i bujshëm lindi në tetor të vitit 2017 kur “New York Times” publikoi një histori që detajonte dekada akuza për ngacmime seksuale në drejtim të Harvey Weinstein.

Aktoret Rose McGowan dhe Ashley Judd ishin mes të parave që dolën hapur kundër tij. Ato e akuzonin se ai i detyronte ato ta “masazhonin” , ta shihnin lakuriq, të kryenin akte seksuale në zyrë, ndërsa në këmbim u premtonte karrierë, pushtet ose para. Nga ana e tij, producenti bëri një “mea culpa” duke pranuar se kishte shkaktuar shumë dhimbje, por mohoi akuzat.

Furia kundër Weinsteinit çoi në krijimin e asaj që u quajt lëvizja “#MeToo”, që pa qindra gra të akuzonin meshkuj të profilit të lartë në biznes, qeveri dhe mjedise të tjera për abuzime seksuale dhe ngacmime.

Gjyqi ka marrë një vëmendje të lartë publike pasi Weinstein është një prej producentëve më të famshëm të Hollywoodit. Ai ka punuar me një sërë filmash që kanë fituar çmime prestigjioze, përfshirë këtu “Shakespeare in Love”, “The King’s Speech” dhe “The Artist”. Filmat e prodhuar prej tij kanë siguruar më shumë se 81 çmime “Oscar” që prej vitit 1999, dhe ai cilësohej si “Zoti” i tyre.

You may also like ...