Header

Finalmente Elsa! Recitali që rrëqethi mbi 2 mijë pjesëmarrës

Mbrëmja e djeshme solli një atmosferë fantastike në Pallatin e Kongreseve, pasi zëri i Elsa Lilës kumboi në koncertin e saj të parë recital në Tiranë.

Me koncertin të titulluar “Finalmente Elsa” këngëtarja është rikthyer në qytetin e saj, nga ku nisi shumë vite më parë.

Me një kapacitet prej mbi 2 mijë vendesh, me të gjitha biletat e shitura, publiku shqiptar i tregoi këngëtares se nuk e kishte harruar. Ky recital i Elsës u mbështet edhe nga kolegët e saj ku një ndër ta ishte Eneda Tarifa e cila e cilësoi “këngëtare prej vërteti”.

Hitet e Elsës ndër vite rrëqethën publikun duke përfshirë këngët “Pyes lotin”, “Vetëm një fjalë” e deri te “Evita”, kënga dedikuar vajzës, me të cilën mori pjesë vitin e shkuar në Festivalin e Këngës.

Dy ditë më parë me emocionet për këtë event të rëndësishëm në karrierën e saj, në një konferencë për mediat Elsa Lila u shpreh se organizimi vjen si një ndjenjë detyrimi ndaj artdashësve që e kanë mbështetur në këto 27 vite në muzikë.

You may also like ...