Adidas është paditur nga investitorët të cilët pretendojnë se firma ishte e informuar për sjelljen problematike të Kanye West vite përpara se të përfundonte partneritetin e tyre.
Investitorët pretendojnë se Adidas nuk arriti të kufizojë humbjet financiare dhe të marrë masa paraprake për të minimizuar ekspozimin e tyre.
“Ne i hedhim poshtë këto pretendime të pabaza,” tha Adidas në një deklaratë duke iu përgjigjur padisë dhe shtoi se kompania “do të marrë të gjitha masat e nevojshme për t’u mbrojtur fuqishëm kundër tyre”.
Nën markën Yeezy, Kanye West krijoi veshje sportive dhe atlete që ishin jashtëzakonisht të suksesshme për Adidas. Por gjigandi i veshjeve sportive i dha fund bashkëpunimit tetorin e kaluar pasi reperi lavdëroi Adolf Hitlerin dhe nazistët në një intervistë si edhe bëri komente fyese për hebrenjtë.
Adidas ka zbuluar se mund të humbasë deri në 1.2 miliardë euro nga produktet e pashitura Yeezy nëse vendos të mos i shesë ato.
Në padi pretendohet se Adidas ishte në dijeni për sjelljen e Kanye West më parë. Kur reperi tha në një intervistë në vitin 2018 se skllavëria “tingëllon si një zgjedhje”, ish-drejtori ekzekutiv Kasper Rorsted tha se, “Ka qartazi disa komente që nuk i mbështesim. Kanye ka qenë dhe është një pjesë shumë e rëndësishme e strategjisë sonë dhe ka qenë një krijues fantastik.”
Pas këtij komenti, padia pretendon se Adidas “injoroi rreziqet e mbifurnizimit të atleteve të markës Yeezy në rast se partneriteti do të përfundonte papritmas, dhe në veçanti, nëse kërkesa për këpucë do të binte për shkak të ndonjë polemike për Kanye-n.”
Padia kolektive mbulon këdo që bleu aksione midis 3 majit 2018 ditën kur West bëri komentin për skllavërinë deri në vitin 2023.
- Ishte vetëm 5 vjeç, aktori ende paguhet për rolin e tij të vogël në filmin Titanic
- Bluza e Kim Kardashian që u bë virale në internet