Header

35 shoferëve iu hiqet patenta, gjobiten edhe 89 qytetarë

Të konstatuar në shkelje të urdhrit të qarkullimit të dalë prej emergjencës së koronavirusit, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 25 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit.

Drejtuesit e mjeteve të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19”.

Në të gjithë vendin, nga strukturat e policisë janë ndëshkuar me masë administrative 100 mije lekë të vjetra, 89 persona, të cilët u konstatuan nga shërbimet e policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Pesë persona janë ndëshkuar me masë administrative 20.000 lekë dhe bllokim mjeti për 3 muaj, pasi nuk kanë zbatuar urdhrin për kufizimin e lëvizjeve në parqe dhe zona të gjelbra të hapura, në zonat urbane apo mjedise të tjera publike të hapura.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 13 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.

Duke filluar nga dita e hënë, nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shtëtije, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë.

Policia kujton se për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Shërbimet e policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.

You may also like ...