Header

Riatdhesimi i shqiptarëve nis të shtunën

Riatdhesimi i shqiptarëve të bllokuar në botë nga pandemia e koronavirusit do të bëhet me anë të plotësimit të një formulari në sistem online që do të jetë i disponueshëm nga dita e enjte në orën 10:00.

Duke filluar nga dita e shtunë, do të nisen udhëtimet nga aeroportet e disa vendeve drejt Shqipërisë.

Të gjithë personat që do të hyjnë në vendin tonë, do të akomodohen në disa struktura turizmi në zonën e Durrësit ku duhet të izolohen për 14 ditë.

“Transporti ajror përfshin fluturimin dhe akomodimin në hoteleri që do të rezervohen online me pagesa të arsyeshme. Për të kryer rezervimin, duhet aksesuar në faqen airalbania.com.al dhe në rubrikën riatdhesime. Klikoni në linkun e hotelit për të zgjedhur paketën që ju përshtatet dhe më pas plotësoni formularin elektronik. Ky formular do të firmoset edhe fizikisht në aeroport”, njoftoi Ministrja Belinda Balluku në një njoftim publik.

Pas rezervimit online, në email do të mbërrijë konfirmimi së bashku me një kod, me të cilin do të bëhet rezervimi i biletës së avionit.

“Do ju dërgohen elektronikisht të gjitha detajet, dita dhe ora e saktë e mbërritjes. Në mbërritje do të verifikohet gjendja shëndetësore dhe më pas do të drejtoheni për në zonën e Durrësit.

Qëndrimi në karantinë do të zgjasë për 14 ditë dhe vetëm pas konfirmimit të stafit mjekësor për gjendjen shëndetësor, do të ktheheni në shtëpi duke ndjekur rregullat”, tha Balluku.

Për çdo paqartësi, do të vihen në dispozicion edhe numra kontakti ku mund të merrni informacione shtesë.

You may also like ...