Header

Vogue, për herë të parë në histori me kopertinë bosh

Në historinë e saj mbi 100-vjeçare, nuk ka ndodhur kurrë që Vogue të ketë pasur një kopertinë bosh. Për herë të parë, në numrin e muajit prill, Vogue Italia vjen me një kopertinë të bardhë bosh, që do të publikohet të premten, më datë 10.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Vogue Italia ka shpjeguar arsyen prekëse pse kopertina e këtij muaji do të jetë e tillë:

“Në historinë e saj mbi 100-vjeçare, Vogue ka dalë mes luftërash, krizash, sulmesh terrorizmi. Rreth 2 javë më parë ishim duke printuar një numër që e kishim planifikuar për një kohë të gjatë, në të cilin përfshihej L’Uomo Vogue, në një projekt binjak. Por të flasësh për diçka tjetër në një kohë kur njerëzit po vdesin, mjekët dhe infermierët po rrezikojnë jetën e tyre dhe bota po ndryshon përgjithmonë – s’është AND-ja e Vogue Italia.

Në përputhje me rrethanat, ne e anuluam projektin dhe filluam nga e para. Vendimi për të printuar një kopertinë të bardhë, për herë të parë në histori, nuk erdhi sepse na mungonin fotot – krejt e kundërta. Ne e zgjodhëm sepse e bardha simbolizon shumë gjëra në të njëjtën kohë.

E bardha është, mbi të gjitha, respekt.

E bardha është rilindje, drita pas errësirës, përmbledhja e të gjitha ngjyrave.

E bardha është ngjyra e uniformave të atyre që vendosin jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar tonën.

Përfaqëson hapësirë, kohë për të menduar dhe njëkohësisht për të heshtur.

E bardha është për ata që po e mbushin këtë kohë dhe hapësirë bosh me ide, mendime, histori, rreshta, muzikë dhe kujdes për të tjerët.

E bardha na kujton kur, pas krizës së 1929-ës, kjo ngjyrë e papërlyer u adoptua për rrobat, si një shprehje e pastërtisë në të tashmen dhe e shpresës në të ardhmen.

Mbi të gjitha: e bardha nuk është dorëzim, por një fletë e zbrazët që pret të shkruhet titulli i një historie të re që është duke filluar.”

You may also like ...