Header

MSH: 6 raste të reja me koronavirus në Shqipëri

Ministria e Shëndetësisë: 6 raste të reja me COVID-19, shkon në 383 numri i të prekurve. 15 të shëruar në 24 orë. Shkon në 131 numri i të shëruarve

Në Shqipëri u regjistruan 24 orët e fundit rastet më të pakta në një ditë me koronavirus. Silva Bino nga Instituti i Shëndetit Publik dha detajet për sot. Ajo tha se po vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.

“Në 24 orët e fundit janë testuar 182 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 6 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë testuar 2753 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 383 raste”, saktësoi Bino.

Orët e fundit nuk ka patur jetë të humbura, megjithatë, betejën me këtë sëmundje e kanë humbur deri tani 22 qytetarë, megjithë përpjekjet e jashtëzakonshme të personelit shëndetësor.

Gjatë 24 orëve të fundit, 15 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 131.

Në shërbimin infektiv aktualisht janë 67 të shtruar. Pesë prej tyre janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar gjithsej. Gjashtë pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 pacientë janë të intubuar.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 74 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Elbasan, Korçë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 181 raste – Durrës 38 raste – Lushnje 5 raste – Elbasan 11 raste – Fier 26 raste – Kavajë 8 raste – Rrogozhinë 4 raste – Korçë 17 raste – Vlorë 5 raste – Shkodër 44 raste – Lezhë 14 raste – Berat 2 rast – Has 12 raste – Krujë 5 raste -Tropojë 4 raste – Pukë 4 raste – Mirditë 3 raste

Siç shihet, sot kemi një ulje të ndjeshme të numrit të rasteve të prekurve nga COVID-19 që tregon se hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i rasteve të reja apo kontakteve të tyre ka funksionuar në mënyrën e duhur dhe është kryer sipas protokolleve të përcaktuara.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Sic e tregojnë edhe shifrat e ditëve të fundit, ku ka raste brenda të njëjtës familje, është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.

You may also like ...