Presidenti Ilir Meta u ndal paraditen e sotme në Lezhë, në një takim me prefektin Gjok Jaku, për të diskutuar mbi punën e institucioneve të zonës për përballimin e emergjencës së koronavirusit.
Ai vlerësoi punën dhe angazhimin e prefektit në këtë situatë, duke thënë se është bërë një punë e mirë si masë parandaluese.
“Duhet të bëhen përpjekje të mëdha nga të gjithë institucionet për tejkalimin e situatës. Është bërë përpjekje dhe e rëndësishme është të ketë frymë më të madhe bashkëpunimi mes të gjithë autoriteteve dhe qytetarëve”, u shpreh kreu i shtetit.
Lidhur me emigrantët e bllokuar në kufi, shtoi se duhet të merren masa për të realizuar karantinimin e tyre, ndërsa bëri apel që që të evitohet lëvizja në këtë periudhë.
Sa i takon shpërblimit të mjekëve, deklaroi se nuk ka informacion të plotë për situatën por përshëndeti mjekët dhe infermierë të Lezhës që vazhdojnë të jenë në krye të detyrës.
“Falë tyre kemi gjendje të stabilizuar në Lezhë dhe mendoj se çdo premtim për ta do të mbahet”, deklaroi kreu i shtetit.