Header

FSHF pezullon të gjitha aktivitetet futbollistike

FSHF ka vendosur të pezullojë të gjitha aktivitetet futbollistike në vendin tonë. Ky vendim vjen pas situatës së shkaktuar nga koronavirusi ku deri më tani është shënuar 1 viktimë dhe janë konfirmuar 23 raste. Në faqen e saj zyrtare FSHF deklaron se të martën e ardhshme në orë 13:00, UEFA do të ketë një video konferencë me të 55 federatat europiane të futbollit.

Njoftimi i plotë

“Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit ka ndjekur nga afër dhe me prioritet ecurinë e situatës në vendin tonë pas rasteve të shfaqura me COVID-19.

Nisur nga përshkallëzimi i kësaj situate dhe duke ndjerë përgjegjësi maksimale për të gjithë personat e përfshirë në jetën futbollistike në vend si dhe pas propozimit te Komitetit të Emergjencave në FSHF, Komiteti Ekzekutiv vendosi pezullimin e të gjitha aktiviteteve futbollistike.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë deri në një komunikim tjetër të Federatës së Futbollit.

Lidhur me të gjitha aktivitetet ndërkombëtare futbollistike, ditën e martë në orën 13:00 UEFA do të organizojë një video-konferencë me të 55 federatat anëtare për të marrë vendimin lidhur me ecurinë e të gjitha aktiviteteve futbollistike europiane për klube e ekipe kombëtare. Urojmë që të rikthehemi sa me shpejtë me lojën tonë të dashur.”

You may also like ...