Bali, ishulli i njohur turistik i Indonezisë, fillon këtë të mërkurë të vendosë për turistët e huaj një taksë prej 150,000 rupiah (10 dollarë ose 9 euro) për të mbrojtur “ishullin e perëndive”, njoftuan autoritetet e tij.
Ishulli vullkanik me plazhet e tij me rërë të butë, i cili tërheq miliona vizitorë të huaj çdo vit, dëshiron të nxisë ekonominë e tij për t’u përballur me efektet e padëshiruara të turizmit. “Kjo taksë ka për qëllim mbrojtjen e kulturës dhe mjedisit në Bali,” tha guvernatori në detyrë i ishullit, Sang Mande Mahendra Jaya, gjatë një ceremonie të hënën.
Kjo taksë do të paguhet online nëpërmjet portalit ‘Love Bali’ dhe do të zbatohet për turistët e huaj që vijnë në Bali nga jashtë ose zona të tjera të Indonezisë, thuhet në njoftimin e lëshuar për shtyp. Megjithatë, kjo taksë nuk do të zbatohet për turistët indonezianë.
Guvernatori i ishullit beson se pagesa në internet do të lejojë që të mos ketë radhë kur vizitorët të mbërrijnë në Bali.
Gati 4.8 milionë turistë vizituan Balin nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, sipas shifrave zyrtare, ndërsa sektori i turizmit të ishullit, i cili ka vuajtur shumë nga pandemia COVID-19 për shkak të mbylljes së kufijve, vazhdon të rimëkëmbet.
- Theu rekordin në Spotify, Kaney West rrëzon nga froni Taylor Swift
- Themeluesi i Amazon, Jeff Bezos shet aksione me vlerë mbi 4 miliardë dollarë