Header

Ukraina zhvendos datat e 3 festave kombëtare, ndër to dhe Krishtlindjet

Ukraina ka zhvendosur datën zyrtare të festës së Krishtlindjeve, në kuadër të masave për t’u distancuar plotësisht nga Rusia.

Tashmë festa do të zhvillohet më 25 dhjetor, si gjithë perëndimi, ndryshe nga Kisha Ortodokse Ruse e cila ceremoninw e mban më 7 janar.

Legjislacioni zhvendos gjithashtu dy festa të tjera shtetërore, Ditën e shtetësisë së Ukrainës, nga 28 korriku në 15 korrik dhe Ditën e Mbrojtësve, e cila përkujton veteranët e forcave të armatosura, nga 14 tetori deri më 1 tetor.

Ligji u miratua nga Presidenti Volodimir Zelensky, ndërsa Moska deri më tani nuk ka bërë asnjë koment publik për këtë çështje.

Për shekuj me radhë, Kisha Ortodokse Ruse ka ushtruar autoritet të imponuar mbi kishat e Ukrainës dhe Krishtëlindjet festoheshin në përputhje me kalendarin Julian.

Por në vitin 2019, Kishës së Ukrainës iu dha pavarësia nga udhëheqësi shpirtëror i të krishterëve ortodoksë në mbarë botën, Patriarku Ekumenik Bartolomeu.

Ndërsa as përfaqësuesit e Kishës ukrainase nuk e kanë komentuar vendimin, nuk përjashtohet mundësia që një grup besimtarësh të festojnë në të dyja datat.

Disa prej klerikëve në Ukrainë, së fundmi janë ndjekur penalisht për aktivitete pro-ruse megjithëse kisha ka deklaruar se nuk ka prova që mbështesin akuzat.

Vitet e fundit, Kievi ka ndërprerë lidhjet fetare dhe kulturore me Rusinë, duke I përqasur më shumë me Perëndimin, process I ardhur në përshkallëzim që pas pushtimit rus në vitin 2022.

You may also like ...