Header

Sot nisin Lojërat Olimpike “Paris 2024″, gjithçka që duhet të dini

Parisi është gati që ‘xixat’ dhe shkëlqimin e Olimpiadës t’ua prezantojë miliona njerëzve, përmes një ceremonie hapëse në lumin Sena, dicka që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Kështu, kjo do të jetë hera e parë që Lojërat Olimpike nuk do të nisin në stadium.

85 anije pritet të parakalojnë me rreth 7 mijë atletë, në një paradë gjashtë kilometra të gjatë në Senë, në zemrën e kryeqytetit francez.

Ceremonia do të nisë më 19:30 e pritet të zgjasë rreth 3 orë e 45 minuta. Organizatorët kanë premtuar ceremoni unike duke shfrytëzuar monumentet historike, si dhe qiellin, ujin e “nuk do të jetë asnjë urë të pashfrytëzuar për muzikë, kërcime e të tjera performanca”. Afro 80 ekranë gjigantë në Paris do të transmetojnë ceremoninë, ku priten edhe balerinë që do të performojnë në çatitë e ndërtesave pranë Senës.

Detajet se kush do të ndezë flakën olimpike për të shënuar nisjen e Lojërave dhe cilët artistë marrin pjesë, po mbahen sekret. Lady Gaga e Celine Dion u panë në Paris, duke nxitur zëra se mund të jenë pjesë e ceremonisë.

Kush do të marrë pjesë në ceremoni?

Në ceremoni do të jenë mbi 80 udhëheqës shtetërorë e më shumë se 300 mijë spektatorë. Komiteti i Lojërave Olimpike raportoi se rreth 222 mijë persona i siguruan vendet falas, ndërsa 104 mijë blenë bileta. U bë e ditur se anijet që do të transportojnë atletët janë të pajisura me kamera, për t’iu mundësuar spektatorëve që nga larg të mund të shohin gjithçka, sikur të ishin në brendësi të mjeteve lundruese.

Ceremonitë e mëparshme të hapjes së Lojërave Olimpike verore

  • Tokio 2020: Ceremonia hapëse pati rënë në hije nga pandemia e koronavirusit. Ndonëse është shtyrë për një vit, për shkak të rrezikut nga koronavirusi, Lojërat janë mbajtur kryesisht pa shikues.
  • Rio 2016: Brazili, i ndrydhur financiarisht atë kohë, nuk ka pasur shumë zgjidhje përveç organizimit të një ceremonie modeste dhe të varur shumë prej traditave të karnavaleve, që mbahen atje rregullisht.
  • Londra 2012: Mbretëresha Elizabetë, e ndjerë tashmë, është parë në hapje në helikopter bashkë me aktorin Daniel Craig – të njohur për rolin e tij të James Bondit – me të cilin ka udhëtuar rreth Pallatit Buckingham, duke e shtuar madhështinë e gjithë organizimit.
  • Pekini 2008: Rreth një miliard njerëz, apo 15 për qind e popullsisë së botës, e kanë shikuar ceremoninë hapëse, në të cilën janë përfshirë 10.000 performues, 2.008 bateristë dhe një finale dramatike me “ecjen” e performuesve nëpër qiell.

You may also like ...