Sot më 17 janar shënohet përvjetori i 556 i vdekjes së Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Gjergj Kastrioti lindi më 6 maj 1405 dhe ishte djali më i vogël i Gjon Kastriotit dhe i princeshës Vojsava, fëmija i fundit midis 4 djemve dhe 5 vajzave. Ai më pas u mor peng nga ushtria otomane pas thyerjes së të atit nga Sulltan Murati më 1421 dhe u dërgua në oborrin e Sulltanit në Adrianopojë.
Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte ushtrinë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e kohës së vet. Si një burrë i madh shteti, ai udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit shqiptar.
Emri i tij na përfaqëson denjësisht në rrafshin e historisë botërore, si një figurë kyçe që i lidh shqiptarët me Perëndimin, botën e qytetëruar europiane.
Pavarësisht se ka jetuar para më shumë se 5 shekujsh, nderimi i shqiptarëve për të ruhet edhe sot. Monumenti i tij është i ngritur në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Krujë dhe disa qytete të tjera. Emri i tij shënon shumë institucione arsimore, ndërsa është figurë për të cilën ende nuk rreshtin hulumtimet e studimet.