Dy persona kanë humbur jetën në Klinikën Infektive në Kosovë si pasojë e prekjes nga virusi Covid-19. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë, përmes një njoftimi për media, ndërsa në total numri i vdekjeve ka shkuar në 3.
“Sot me datë 06.04.2020 në Klinikën Infektive të QKUK-së dy pacientë me COVID 19 kanë ndërruar jetë. Në ora 03:00 ka ndërruar jetë pacienti S. N., 59 vjeç, Prishtinë, i cili është pranuar në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive me datën 04. 04. 2020 transferuar nga Qendra Emergjente e QKUK-së dhe ka qenë me sëmundje shoqëruese (diabet tip 2, hipertension). Pacienti është pranuar në Klinikën Infektive në gjendje të rendë pa vetëdije.
Në ora 07:10 ka përfunduar me vdekje pacientja e gjinisë femër, N. R., 70 vjeç, Korishë, Prizren, e cila është pranuar po ashtu në Mjekimin Intensiv të Klinikës Infektive me datën 02. 04.2020 dhe ka pasur sëmundje shoqëruese (Diabetes Mellitus, Nephropathia diabetica, Hypertensio arterialis dhe Cardimyopathia chronica)”, thuhet në njoftimin e MSH-së.
Numri i personave që kanë humbur jetën në Kosovë nga coronavirusi ka arritur në tre tashmë, ndërkaq 145 të tjerë janë të infektuar kurse 23 janë shëruar.
- “Unë besoj se jeta do të triumfojë”, mesazhi i mjekes shqiptare në Itali
- Kryeministri britanik në spital me koronavirus