Mediat italiane vijojnë t’i kushtojnë vëmendje tepër të lartë dyndjes së turistëve nga ky vend drejt Shqipërisë. Madje braktisja e plazheve të Italisë nga turistët vendas që zgjedhin Shqipërinë ka ngjallur shqetësim dhe debate në studion televizive të Rai-t.
Interesi i mediave italiane për bumin turistik të Shqipërisë dhe dyndjen e turistëve italianë vijon të jetë tepër i lartë. Italianët në shifra të pazakonta që po kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar ishin në qendër të një reportazhi në emisionin tepër të ndjekur të mëngjesit “Uno Mattina” në Rai1.
Gazetarja e Rai-t pyeti udhëtarët që niseshin me traget nga porti i Barit drejt Durrësit se pse kanë zgjedhur Shqipërinë.
“Për çmimet dhe për vendet.”
“Mezi pres ta shoh. Kam parë fotot, duket bukur.”
Konkurrenca e fortë që po i bën turizmi shqiptar, atij italian shkaktoi ashtu si në mediat kryesore italiane, debate edhe në studion e Rai 1. Të gjendur mes një vorbulle të ashpër kritikash për kosto të paktën 3 herë më të larta se në Shqipëri, përfaqësuesit e bizneseve turistike në Pulia japin argumentet e tyre pse i mbajnë të larta çmimet për pushuesit.
“Nuk ka konkurrencë mes Pulias dhe Shqipërisë. Janë realitete të ndryshme. Italia është pjesë e BE-së dhe barrën fiskale e ka më shumë se 40%. Ndërsa Shqipëria nuk është vend anëtar dhe ka rregulla të tjera, me një barrë fiskale më pak se 20%.”
Përfaqësuesi i zyrës për mbrojtjen e konsumatorit vlerëson zhvillimin turistik të Shqipërisë dhe shpreh shqetësimin për situatën në Itali.
“Sinqerisht habitem që shfaqeni kaq i pashqetësuar për situatën. Sot flitet për Shqipërinë dhe është shumë e drejtë të flitet, por duhet të marrim parasysh edhe Spanjën, Portugalinë dhe jugun e Francës që kushtojnë më lirë se ne.”
Në emision ndërhyn edhe një drejtues italian i një restoranti në bregdetin shqiptar, i cili vlerëson klimën e biznesit dhe turizmit në Shqipëri.
“Infrastruktura është shumë re, me ndërtime të reja, të mirëpërgatitura për të pritur turistë. Shqipëria të jep mundësinë për të punuar. Ka absolutisht më pak burokraci. Ministria e turizmit të jep shtysë në mënyrë stratosferike.”
Ndërkohë, blogerët italianë hedhin poshtë lajmet e përhapura në disa media se në Shqipëri, çmimet janë më të larta nga sa është përfolur dhe se bregdeti është i ndotur. Ky bloger thotë se me 40 Euro ka marrë dy shezllonë të mëdhenj sa një shtrat martesor, për vete, bashkëshorten dhe fëmijët dhe se bregdeti i jugut është i kristaltë.
- The Beatles do të publikojnë rekordin e tyre të fundit
- Sam Asghari pretendon se Britney Spears e ka dhunuar