Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka folur për lehtësimin e masave që do të fillojë në disa zona të Shqipërisë duke nisur prej ditës së nesërme (27 prill). Në strategjinë e re përfshihet edhe orari i lëvizjes, që do të zgjatet në të gjithë vendin nga 90 minuta në 2 orë.
Në një njoftim publik, Manastirliu tha:
“Kjo strategji parashikon katër faza për lehtësimin gradual të masave, që lidhen në mënyrë të ngushtë me evoluimin e infeksionit Covid-19 dhe shkallën e përhapjes së tij.
Do të tregohemi në çdo fazë shumë të kujdesshëm, duke vlerësuar kurbën epidemiologjike, shpërndarjen e vatrave të infeksionit, transmetueshmërinë e infeksionit si dhe përballimin nga strukturat spitalore të rasteve me simptoma te Covid-19.
Duke filluar nga dita e hënë, datë 27 Prill, do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta në 2 orë, duke ruajtur parametrat e sigurisë të distancimit social dhe duke zgjeruar mundësine e kryerjes së shërbimeve thelbësore në një hapësirë kohore më të gjerë”.
Në kuadër të lehtësimit gradual dhe të kujdesshëm të masave, bazuar në vendimin e komitetit te eksperteve, nga dita e hënë datë 27 prill, do të fillojnë lehtësimet e posaçme për lëvizjen në “zonat e gjelbra”, të cilat janë:
Qarku Dibër
Qarku Gjirokastër
Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq;
Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd
Si dhe Bashkia Divjakë.
Në zonat e gjelbra, lëvizja e pensionistëve do të jetë nga 6:00- 08:30 të mëngjesit.
Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 09:30 deri 17:30, të shoqëruar jo më shumë se me një person.
Përjashtim do të bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga oraret e sipërpërmendura.
Ne zonat e gjelbra, parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk do të lejohet grumbullimi dhe qëndrimi i më shumë se dy personave bashkë në hapësirat publike.
Sa i takon mjeteve private të transportit ato do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda Qarkut ose Bashkive përkatëse nga ora 09:30 deri 17:30, vetëm me një pasagjer.
Nuk do të lejohet lëvizja me mjet privat ose si pasagjer i pensionistëve, përveç rasteve me autorizim për arsye shëndetësore.