Header

Ndahet nga jeta këngëtarja e njohur Violeta Rexhepagiqi

Të enjten në mëngjes është gjetur pa shenja jete këngëtarja dhe gazetarja e njohur kosovare, Violeta Rexhepagiqi.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 09:30 policia ka marrë informatën se në rrugën ‘Ferat Dragaj’ në Prishtinë, saktësisht në një shtëpi, gjendet një person pa shenja jete. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku ka hasur viktimën grua, e cila ishte pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

Violeta Rexhepagiqi është marrë me muzikë qysh në fëmijërinë e hershme. Ajo, si solokëngetare apo në duet me vëllain e saj, Armendin, ka marrë pjesë në festivalin “Akordet e Kosovës” dhe është vlerësuar me çmimet kryesore të festivalit.

Me pastaj ajo ka marrë pjesën në festivalet e këngëve zbavitëse në qendragt më të mëdha të Jugosllavisë. Ajo e ka përfaqësuar dy herë Kosovën në festivalin jugosllav të përzgjedhjes së këngës për Evrovizion.

Në vitet ’80, Violeta e kishte formuar grupin muzikor “Vivien”, i cili ishte njëri prej grupeve muzikore më avangarde të kohës.

Në vitet ’80, Violeta Rexhepagiqi e nisi punën në gazetari. Ajo punoi si gazetare në Radiotelevizionin e Prishtinës deri në vitin 1990, kur nga ky medium u dëbuan punëtorët shqiptarë që nuk pranuan të viheshin në shërbim të regjimit të Milloshevicit.

Në vitet ’90, ajo ishte bashkëpunëtore dhe korrespondente e disa qendrave të huaja televizive. Ajo ka raportuar nga Kosova e pastaj edhe nga zonat e luftës në Kroaci e në Bosnjë e Hercegovinë për BBC, Sky News, etj.

Violeta Rexhepagiqi ishte model i femrës moderne në Kosovë. Ajo pati guxim të çlirohej nga stigmat dhe paragjykimet dhe të sillte në Kosovë frymën moderne dhe avangarde, jo vetëm të muzikës, por edhe të modës dhe të artit e kulturës në përgjithësi.

Viki, siç e thërrisnin miqtë e bashkëpunëtorët, u tërhoq nga jeta publike pas një aksidenti të rëndë të komunikacionit, kah fundi i viteve ’90.

Pas luftës, ajo ka vazhduar punën në Radiotelevizionin e Kosovës, deri në ditën e fundit të jetës.

You may also like ...