Shtohen 8 raste të reja të infektuarish në orët e fundit në Shqipëri, mes tyre dy personel shëndetësor.
Në raportimin e 24 orëve të fundit, shefja e inteligjencës në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, konfirmoi rastin e parë të infektimit në Kukës.
Gjatë ditës së djeshme janë testuar 236 persona të dyshuar nga të cilët 45 janë personel shëndetësor, kryesisht në spitalin e Shkodrës. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 8 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 6 raste në Tiranë, 1 personel shëndetësor në Shkodër dhe 1 personel shëndetësor në Kukës.
Deri në këto momente janë testuar 4306 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 475 raste.
Konfirmohen 24 viktima, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit, 16 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 248.
Aktualisht, në shërbimin Infektiv aktualisht janë 37 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 prej tyre janë të intubuar.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 46 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet për herë të parë në Kukës dhe zgjerohet në Tiranë dhe Shkodër.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është në Tiranë 227 raste; Durrës 42 raste; Lushnje 6 raste; Elbasan 15 raste; Fier 32 raste; Kavajë 8 raste; Rrogozhinë 4 raste; Korçë 17 raste; Vlorë 5 raste; Shkodër 71 raste; Lezhë 14 raste; Berat 2 raste; Has 13 raste; Krujë 6 raste; Tropojë 4 raste; Pukë 5 raste; Mirditë 3 raste dhe Kukës 1 rast
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale.
Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.
“Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40”, tha në mbyllje Tomini.
- Paketa e zgjeruar mbështetëse, pagë prej 40 mijë lekësh
- Covid-19, Meta përshëndet qëndrimin e KiE-së për masat