Header

Fëmijëria, familja, karriera, një rrëfim i rrallë nga Robert Ndrenika!

Ikona e kinematografis shqiptare, Robert Ndrenika ka bërë së fundmi një rrëfim tepër të ndjerë. Përballë Mira Kazhanit në podkastin e saj, si rrallëherë aktori ka kujtuar fëmijërinë, ka folur për jetën dhe karrierën.

 

Dy episode fëmijërie.

“Më dërgonin prindërit të mbaja radhën për ushqime, se ishte me radhë atëherë. Sistemi i triskëtimit etj.. Unë isha i vogël, nja 5 a 6 vjeç, por më çonin te radha e burrave. Radha ishte: Një burrë, një grua, pastaj vinte një familje dëshmori, një invalid, një hero i popullit. Kur vinte prapë radha te burri të kalonte një orë. Unë erdha në shtëpi dhe i thashë babait: “O baba, ç’më ke bërë! Po të kishe rënë dhe ti dëshmor që të merrja shpejt ushqimet në radhë” dhe babai më këputi një të sharë dhe e kuptova që duhet ta mbyllja gojën. Thonë disa që gjuha hekur s`është, po hekur thyen”

“Nënën shumë të mirë e kujtoj. Ishte arsimtare. Kishte qenë jetime këtu, e kishin marrë diku në Athinë. Atje kishte studiuar. Kishte bërë shkollë. Madje kur ka ardhur nuk e dinte gjuhën shqipe fare. Avash-avash mësoi dhe gjuhën. U bë dhe arsimtare, por jo e gjuhës, e gjeografisë. Prindërit i kam pasur shumë, shumë të mirë.”

Ndrenika ka zbuluar se konkursin për aktrim nuk e ka fituar me të parën.

Mira Kazhani: Nuk fituat! Robert Ndrenika nuk e ka fituar konkursin për herë të parë.

Robert Ndrenika: Nuk fitova. Edhe një Shpëtim Shëmilli i Elbasanit, edhe një Pëllumb Kulla që është dramaturg, regjisor, edhe ai nuk ka fituar.

Mira Kazhani: Por nuk hoqët dorë nga ëndrra?

Robert Ndrenika: Jo nuk hoqëm dorë. Vitin tjetër që u bë konkursi u futëm të tre madje, pa u njohur me njëri-tjetrin. Vitin tjetër fituam dhe fati ishte që ishim në një kurs katër vjet, për aktor.

Mira Kazhani: Ju pëlqenin se ishit i pashëm apo se kishte tek ju shumë talent në aktrim? Si ka ndikuar paraqitja juaj?

Robert Ndrenika: Radhën e parë më skarcuan sepse isha pak a shumë minoren në trup edhe në bukuri. Isha i paformuar. Gjatë shkollës pedagogët më zbuluan këtë anën profesionale, anën e talentit.

Mira Kazhani: Cila ishte pika juaj e fortë sipas pedagogëve të kohës?

Robert Ndrenika: Profesorë kam pasur Luarasin dhe Spahivoglin, ose Spahivoglin dhe Luarasin. Njëri kishte studiuar në Rusi, tjetri në Hungari. Pedagogë shumë të mirë. I ndrittë shpirti atje ku janë.

Mira Kazhani: Kur e takove Poliksenin, dashurinë tënde të jetës? Gjatë kohës kur ishe student?

Mira Kazhani: Ku u takuat për herë të parë?

Robert Ndrenika: Këtu në Tiranë. Edhe ajo kishte bërë Liceun Artistik. Mirëpo unë nga eksperienca e familjes time, edhe nga ajo që shihja aktorë burrë e grua në një punë, që në fillim mbase ishin, po pastaj kishte edhe sherre dhe konflikte dhe nga eksperienca që mëmën e kisha arsimtare, ishte më e lehtë puna dhe ndërroi degën Polikseni, u bë arsimtare për Gjuhë-Letërsi.

Mira Kazhani: E bëri për ju këtë sakrificë? Ia kërkuat ju apo e bëri vetë se e ndjeu, për dashurinë tuaj?

Robert Ndrenika: Po të dyja mund të thuash. Edhe njëra, edhe tjetra. Po nuk i doli keq edhe si arsimtare, për arsyen se bëri dy vajza. U bë një familjare e mirë, kurse teatri ka qenë i vështirë, jo vetëm për atë, po ka qenë i vështirë për turnera, për familjarët ka qenë i vështirë.

Mira Kazhani: Edhe për burrat po thoni, sepse duhet të ikje nga shtëpia.

Robert Ndrenika: Një shembull është i ndjeri Sandër Prosi. Nuk na dilte dieta, edhe thoshte: Ore s`dua dietë. Mbajeni juve dietën. Mua më jepni vetëm për të ngrënë. Më jepni dy paketa Partizani (cigare), dy kafe, edhe s`dua dietë. Se puna ishte të mos merrnim nga rroga. Rroga duhej për në shtëpi, për familjen.

Po për marrëdhënien me bashkëshorten?

Mira Kazhani: Keni shkuar shumë mirë me Poliksenin.

Robert Ndrenika: Relativisht mirë.

Mira Kazhani: Pse thua “relativisht mirë”?

Robert Ndrenika: Po se s`ka burrë edhe grua që të shkojnë kaq mirë sa thua ti. Nuk besoj të ketë. Bëjnë ç`bëjnë, vitin e parë mundet, po nga viti i dytë e mbrapa fillojnë dhe sharjet, ofendimet që s`mund të thuhen këtu.

Mira Kazhani: Jo nuk do t`i themi, por më pëlqen sinqeriteti juaj.

Robert Ndrenika: E dinë gratë e aktorëve se ç`kanë hequr (qesh).

Mira Kazhani: E di dhe Polikseni.

Robert Ndrenika: Po edhe ajo e di atje ku është, në Shën Spiridhon.

Mira Kazhani: Ka qenë xheloze Polikseni? I linit vend vetes ju për xhelozi?

Robert Ndrenika: Edhe mund të ketë qenë.

Po me rrjetet sociale, çfarë e lidh?

Mira Kazhani: Po Facebook-un e beson? Je aktiv herë pas here.

Robert Ndrenika: Të vërtetën e besoj.

Robert Ndrenika: Mundohem ta dalloj, por them që e dalloj.

Mira Kazhani: Komentet negative diskutohen shumë. Edhe juve si Robert Ndrenika që ju duan të gjithë shqiptarët…

Robert Ndrenika: Po padashje kam hyrë dhe në Facebook (qesh). Në fillim nuk e kuptoja fare.

Mira Kazhani: Ju kam parë që Ana Maria ju nxjerr shpesh në TikTok. Ju e dini çfarë është TikTok-u?

Robert Ndrenika: Kohët e fundit kam mësuar. Se edhe në TikTok nganjëherë shoh ca gjëra me vlerë.

Mira Kazhani: E ke në celular TikTok-un?

Robert Ndrenika: Besoj që e kam.

Mira Kazhani: E ke me emrin tënd?

Robert Ndrenika: Jo, jo. Nuk e di të kem vënë emrin tim në TikTok. Po që më dërgojnë TikTok-e sa të duash, më dërgojnë.

Mira Kazhani: Të pëlqen interneti? Kjo koha e internetit si të duket?

Robert Ndrenika: Po, se kaloj një pjesë të mirë të kohës time me këtë. Kështu që nuk mund të them që nuk më pëlqen.

TiranaPost*

You may also like ...