Bilanci i të prekurve nga COVID 19 në Shqipëri është rritur. Vatra më e re e nxehtë në vend për momentin rezulton të jetë Kruja, aty ku infektimet kanë nisur në një fasoneri, e më pas janë përhapur nga një punëtor te tjetri si dhe tek të afërmit e tyre.
Në përditësimin e sotëm të të dhënave, Zv. ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli konfirmoi se numri i të prekurve nga ky virus është 634, me 25 raste të reja.
Gjatë 24 orëve të fundit 1 qytetar ka humbur jetën nga COVID 19, 71 vjecar nga Durrësi, duke e cuar në 27 numrin e viktimave. Po ashtu shkon në 356 numri i të shëruarve. Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.
NJOFTIMI I PLOTE
Në 24 orët që lamë pas rezultatet e situatës epidemiologjike janë si më poshtë.
Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 252 persona të dyshuar me COVID-19. Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 25 raste pozitive me COVID19.
Vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin.
Deri në këto momente janë testuar 6269 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 634 raste.
Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një pacient 71-vjeçar në spitalin “Shefqet Ndroqi” i cili ishte prej dy javësh i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese si (diabetik, kardiopat, ç’rregullime të ritmit kardiak dhe fibrilacion atrial). Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë duke e çuar numrin e qytetarëve që kanë humbur betejën me këtë sëmundje në 27.
Gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 356.
Rezulton se Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.
Aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 33 të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në, Krujë, Tiranë, Elbasan, Shkodër, Kurbin.
- Mjekët me Covid-19 zgjohen nga terapia me lëkurë të errët
- Mesazhi që erdhi nga ditëlindja e princit Louis