Header

Rrëqeth infermieria italiane: Maska m’u mbush me lot

Italia është vendi më i prekur nga koronavirusi në Europë. Numri i vdekjeve dhe infektimeve shtohet dita-ditës, e pavarësisht përpjekjeve të tyre të lavdërueshme dhe vetëmohimit, mjekë e infermierë shpeshherë e gjejnë veten në situatën e dëshpëruar që nuk arrijnë dot t`i ndihmojnë ashtu sic do të donin pacientët e goditur prej koronavirusit.

Një ilustrim të qartë të gjendjes e bëri infermierja Maria Cristina Settembrese, e cila punon prej më shumë se një dekade në spitalin San Paolo të Milanos. Që prej shpërthimit të epidemisë së koronavirusit, ajo ka qenë në krye të detyrës. Maria tregon episodin e dhimbshëm që nuk i shkulet nga mendja.
“Dërguam në reanimacion një 42-vjeçar. Ndërsa më shtrëngonte dorën, më lutej: “ Më thoni që do të zgjohem përsëri, kam dy vajza të vogla në shtëpi”. Maska ime u mbush me lot”, rrëfeu infermierja.

Ajo tregoi më tej sesi 15 shtretërit me ventilim të spitalit janë zënë të gjithë nga pacientë me koronavirus. Moshat e tyre nisin nga 48 vjeç e lart.
“Në 30 vjet punë, nuk jam ndeshur kurrë me një situatë të tillë”, shprehet ajo.
“Pak herë kam qarë gjatë punës time, por tani më ndodh përditë sidomos kur shoh të shkruar: JKR – Jo Kandidat për Reanimacion! Kur të përfundojë e gjithë kjo, dua të shkoj në Marsa Alam, pranë detit të harroj gjithçka”, thotë infermierja.

You may also like ...