Header

Liam Neeson përsëri në një film për shqiptarët

Të gjithë e mbajmë mend për rolet e tij të suksesshme kinematografike, por roli i tij në filmin “Taken” është më i njohuri për shqiptarët.

Aktori me famë botërore, Liam Neeson, luante rolin e një babai detektiv në tri episodet e filmit “Taken”, ku ndiqte shqiptarët nga Tropoja, të cilët përpiqeshin të trafikonin vajzën e tij në Paris.

Për rolin e aktorit në fjalë madje u krijua edhe një fushatë reklamuese për Shqipërinë e titulluar “Taken by Albania”, duke i kërkuar Neesonit që ta vizitojë Shqipërinë, pasi ai nuk është vend i krimit ashtu siç e paraqitën në filmin ku ai luajti.

Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë se Neeson është duke punuar drejt një roli të ri në një film, i cili për rastësi do të lidhet përsëri me shqiptarët.

Ai mund të luajë rolin kryesor në filmin “Charlie Johnson in the Flames”, të regjisorit Tarik Saleh.

Edhe pse filmi mund të ketë disa vjet pushim (ai është në këtë moment i listuar si në fazën e para-prodhimit), “Charlie Johnson in the Flames” paraqet në skenarin e tij aktorin Liam Neeson si një gazetar që përpiqet të gjurmojë të vërtetën mbi një kolonel të etur për gjak, pasi ka parë atë të kryejë një krim të tmerrshëm beteje.

Ai do të gjurmojë më saktësisht vrasjen e një gruaje shqiptare nga një oficer serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Bazuar kryesisht në romanin me po të njëjtin titull të Michael Ignatieffit, “Charlie Johnson in the Flames”, regjisori do ta zhvendosë filmin nga Kosova në kontinentin afrikan, dhe me gjasë do të përqendrohet me theks në dhunën e vazhdueshme dhe në trazirat që përshkojnë gjithë atë hapësirë.

Shumë prej fansave mund të supozojnë se kjo përmbledhje tingëllon në mënyrë të dyshimtë si një skenar i përsosur për “Taken 4”, por në fakt “Charlie Johnson in the Flames” nuk do të jetë vazhdim i sagës së filmave “Taken” dhe pretendon të jetë më shumë një thriller politik.

You may also like ...