Në Teatrin e Operas dhe Baletit po mbahen homazhet në nder të kolosit të letërsisë shqipe, Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë në moshën 88-vjeçare. Krerët më të lartë të shtetit, politikës, personalitet të kulturës dhe diplomatë nderojnë shkrimtarin e madh Kadare.
Homazhet nisën nga ora 09.00. Arkivoli i mbuluar me flamurin shqiptar është vendosur në skenën e TKOB ndërsa në sfond është silueta e Nënë Terezës, me vellon e saj të murgeshës, të bardhë dhe me viza blu, duart që luten dhe rruzare me një kryq. Përpos muzikës funebre, në sfond po lexohen edhe poezitë e Kadaresë.
Dhimbja është e madhe për bashkëshorten Helena Kadare, dhe dy bijat Gresa dhe Besjana. Të veshur me të zeza e me lot në sy presin ngushëllimet e një kortezhi të vazhdueshëm personalitetesh shtetërore por edhe qytetarësh të thjeshtë. Ndërkohë pak metra më tutje është vendosur libri i ngushëllimeve dhe një foto e madhe e Ismail Kaderesë.
Në orën 11:30 do të mbahet ceremonia shtetërore e lamtumirës së shkrimtarit, ndërsa në 12:30 do të nisë kortezhi i përcjelljes së shkrimtarit për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës.
Ndërkohë, në orën 13.00 çdo veprimtari do të ndërpritet dhe do të mbahet një minutë heshtje në nder të kolosit të letrave shqipe. Radio Televizioni shtetëror gjatë kohës së homazheve do të transmetojë muzike funebre, ndërsa për organizimin e homazheve është ngritur një komision i posaçëm shtetëror.
Në nder të shkrimtarit, Shqipëria dhe Kosova janë në zi, ndërsa në dy vendet flamujt janë ulur në gjysmështizë. Në ceremoninë shtetërore që do të organizohet nga Kryeministria do të marrin pjesë krerët më të lartë të vendit, kryeministri Edi Rama me bashkëshorten, Presidenti Begaj me bashkëshorten, Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, po ashtu edhe ministra, drejtues institucionesh të larta, personalitete të kulturës dhe artit si dhe diplomatëve të akredituar në vendin tonë. Gjithashtu do të jenë prezentë edhe presidentja dhe kryeministri i Kosovës, Vjosa Osmani e Albin Kurti.
Ismail Kadare një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohor, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi, ndërroi jetë në moshën 88 vjeç, mëngjesin e 1 korrikut. Kadare pësoi “arrest kardio-respirator”, në shtëpinë e tij dhe vdiq në spitalin e QSUT në Tiranë.
- “S’po del asnjë këngë e hajrit”, Ronela Hajati i bën ‘diss’ estradës?
- Fytyra e Zac Efron bëhet objekt diskutimi në rrjet