Header

Kupa e Botës 2026, Infantino zbulon logon zyrtare të kompeticionit

Faza e grupeve të Botërorit 2026, e cila do të zhvillohet mes Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Meksikës, do të organizohet në baza rajonale, me qëllim kufizimin e transfertave.

Këtë e ka bërë të ditur presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino. Ky do të jetë edicioni i parë i organizuar në tre vende të ndryshme, si dhe i pari që do të mirëpresë 48 ekipe krahasuar me 32 në edicionet e fundit.

“Sfida do të jetë logjistika”, pranoi Infantino, në Los Anxhelos për të paraqitur logon zyrtare të Botërorit, i cili do të duhet të merret me “distancat, zonat kohore, ndryshimet klimatike, lartësinë në Meksikë, nivelin e deti në rajone të tjera”.

“Prandaj është e rëndësishme për ne që të krijojmë ambientin e duhur në mënyrë që ekipet dhe tifozët të vendosen në kushtet më të mira të mundshme”, vazhdoi ai.

“Kjo do të thotë të mos kesh nevojë të udhëtosh shumë, sidomos në fillim. Ne do të krijojmë grupe në të cilat skuadrat do të vendosen sipas shortit.”

You may also like ...