Deri në 30 familje të pastreha që qëndrojnë në hotelin Travelodge në veri të Londrës pritet të zhvendosen në një strukturë të përkohshme kur të fillojnë koncertet e Beyonce në fund të muajit, pasi këshilli lokal nuk arriti të rinovojë marrëveshjen për dhomat e familjeve.
Rreth 100 dhoma, 2/3 e totalit të hotelit, i shërbenin nevojave të të pastrehëve, por hoteli ka mbyllur dhomat për koncertet e yllit 41-vjeçar.
Beyoncé është planifikuar të luajë pesë netë në stadiumin e afërt të Tottenham Hotspur midis 29 majit dhe 4 qershorit.
Një nënë tha për The Guardian se qëndroi jashtë hotelit për 12 orë me tre fëmijët e saj përpara se të dërgohej në një hotel tjetër, ndërsa një tjetër u shpreh se po përjetonte “sulme paniku” pas vendimit.
Duhet theksuar se hoteli jep të drejtën për rezervime deri në 28 ditë dhe kjo nuk është hera e parë që konstatohet një pamundësi e ngjashme për t’iu shërbyer nevojave të të pastrehëve.