Header

Vaji i limonit, sekreti i rinisë së përhershme

Vaji i limonit është një nga simbolet e perëndeshës romake të rinisë, Juventas, gjë që tregon domethënien e rëndësishme të vajit esencial të limonit në qytetërimin e lashtë romak.

Vaji i limonit është një vaj esencial që nxirret nga lëkura e limonit.

Lëkura përmban një sërë vajrash aromatikë dhe përbërësish të çmuar. Së bashku ato formojnë vajin esencial të limonit që ka një aromë të fortë dhe karakteristike. Vaji esencial i limonit ka një sërë vlerash shëndetësore. Ai shërben si antioksidant i fuqishëm dhe ka një ndikim të madh në mendjen dhe shpirtin tonë.

Në ka një vend të pasur me agrume, ajo është Shqipëria.

Në vendin tonë gjejmë limona dhe qitro pa fund falë klimës dhe pozicionit tonë gjeografik. Limoni përbën një nga prodhimet më të bollshme dhe më të larmishme në vend. Shumica prej limonëve përdoret në kulinari, por AgroWeb është i vendosur t’ju informojë për potencialet e arta të vajit esencial të limonit që për momentin gjendet vetëm nëpërmjet importit.

Prodhimi i vajit esencial të limonit nuk kërkon shumë mund apo investim, ndërkohë përfitimet dhe vlerat tek konsumatori fundor janë vertetë të mrekullueshme. Investimet në vajrat esencialë kanë potencial të madh si në tregun vendas, por edhe për eksport.

Siç e thamë më lart, vaji esencial i limonit prodhohet nga lëkura e këtij agrumi. Pas blerjes, vaji i limonit duhet të mbahet në një vend të ftohtë me një temperaturë nën 5 gradë celcius. Në këtë mënyrë garantohet siguria dhe cilësia e vajit të pastër dhe original të limonit. Sipas të dhënave limonët me ngjyrë pak më të gjelbër nxjerrin më shumë vaj se ata që janë të pjekur dhe me lëkurë krejt të verdhë.

Kjo nënkupton që vaji esencial i limonit është i ndryshëm në varësi të agrumes dhe ka aroma të shumëllojshme. Prodhimi i një mililitri vaj esencial kërkon shumë limonë. Kjo tregon përqendrimin e lartë dhe fuqinë e këtij vaji esencial. Vaji i limonit është një nga të paktët vajra esencialë që mund të pihen. Por kujdes mjaftojnë dy pika vaji esencial në një gotë të mbushur me ujë ose lëng. Ata që synojnë të konsumojnë lëng limoni duhet të përzgjedhin vetëm variantin terapeutik të këtij vaji.

Limoni mund të duket i zakonshëm, por është një ushqim shumë i fuqishëm. Kjo agrume shërben si detoksifikues i mëlçisë që në vetvete pastron gjithë trupin dhe na bën shumë aktivë. Limonët nuk përdoren vetëm në kuzhinë por edhe në mjekësinë popullore. Ato janë të hidhur e të thartë në shije dhe kanë një nivel të lartë të acidit citrik. Të gjitha agrumet në fakt janë në gjendje të prodhojnë vajra esenciale që përmbajnë aromën karakteristike dhe të veçantë. Mund të përmendim vajin e portokallit, vajin e qitros, vajin e mandarinës, vajin e limonit të athët etj.

Ngjyra dhe aroma. Vaji esencial i limonit ka një ngjyrë të çelët dhe të qartë. Nëse pregatitet nga limonë lëkura e të cilave anon nga e gjelbra, atëherë vaji do të ketë një nuancë jeshile. Vaji është i hollë dhe me aromë të fuqishme. Era e vajit qëndron me ty për një kohë të gjatë. Ky vaj është freskues dhe energjik.

Vlerat. Vaji esencial i limonit është shumë i fuqishëm në disa aspekte. Ai kryen një punë të shkëlqyer në largimin e insekteve. Vaji shërben si insekticid natyral. Për më tepër ka shumë vlera terapeutike për njeriun.

Vaji i limonit shërben kundër reumatizmës duke shuar dhimbjen dhe inflamacionin. Vaji esencial i limonit ka gjithashtu veti anti inflamatore. Po të krahasohet me vajrat e tjerë, vaji esencial i limonit është një antioksidant i fuqishëm. Vaji i limonit lufton njollat që lënë pas plagët, por edhe parazitet sepse ndihmon trupin të nxjerrë krimbat që mund të formohen në brendësi. Vaji i limonit parandalon rritjen dhe zhvillimin e tumoreve, në largimin e sekrecioneve të kollës por edhe të baktereve dhe mykut. Nëse e konsumoni nga goja parandalon aneminë dhe shton djersitjen. Ky vaj esencial ul tensionin e gjakut dhe ul temperaturën, parandalon infeksionet e plagëve, çarjeve dhe lëndimeve. Për më tepër ndihmon trupin në shkatërrimin e disa viruseve.

Vaji i limonit për sëmundjet respiratore. Vaji esencial i limonit të vjen në ndihmë kur ke probleme me frymëmarrjen. Ai të çliron nga kolla, bronikiti, astma, pneumonia e çrregullime të tjera respiratore falë një përbërësi të njohur si limonenë, që lufton simptomat astmatike. Megjithatë ju duhet të konsultoheni me mjekun sepse ka pasur disa raste kur ky element ka përkeqësuar këto simptoma.

Vaji i limonit parandalon nga pickimet e insekteve. Mjafton ta aplikoni vajin në lëkurë dhe insektet do t’ju qëndrojnë larg.

Vaji i limonit pastron lëkurën mjaft mirë. Ky vaj është një nga pastruesit më të mirë të lëkurës që egzistojnë. Largon papastërtitë, qelizat e vdekura dhe toksinat që mund të penetrojnë në lëkurë. Nëse e përdorni do të shikoni një lëkurë qartësisht të pastër dhe jo të yndyrshme.

Përzierja e vajit të ullirit me limonin është një mënyrë e shkëlqyer për t’i dhënë gatimeve tona një aromë dhe shije të veçantë. Ky kombinim funksionon mirë për gatime si oriz, makarona, patate, peshk, perime dhe shpendë. Ju mund të pregatisni vaj ulliri me limon duke zhytur lëkurat e freskëta të limonit në një enë të mbushur me vaj ulliri të një cilësie të lartë dhe ta mbani të mbyllur për dy javë.

You may also like ...