Sot është Dita Botërore Pa Duhan. Tema e Ditës Botërore Pa Duhan – 2024, është: “Të mbrojmë fëmijët nga praktikat manipuluese të industrisë së duhanit”. Kjo nismë ka një rëndësi të madhe dhe jetike, në luftën kundër këtij fenomeni të dëmshëm me impakt shoqëror.
Nga të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik fëmijët përdorin cigare elektronike me ritme më të larta se të rriturit në të gjitha rajonet dhe globalisht, rreth 37 milionë të rinj të moshës 13-15 vjeç përdorin duhan.
Çdo vit më 31 maj Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj organizojnë Ditën botërore pa duhan me qëllim të ngritjes së vetëdijesimit nga rreziku që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.
Me rastin e kësaj dite, Organizata Botërore e Shëndetësisë tërheq vëmendjen ndaj efekteve të dëmshme të duhanpirjes dhe ekspozimit ndaj tymosjes pasive, si dhe këshillon kundër përdorimit të duhanit në çfarëdo lloj forme.
Duhani është një faktor kryesor risku për sëmundjet jongjitëse, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti.
Përfitimet e lënies së duhanit janë pothuajse të menjëhershme. Pas vetëm 20 minutash pa duhan, ulen rrahjet e zemrës, brenda 12 orësh bie në nivel normal monoksidi i karbonit në gjak, brenda 2-12 javësh, përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive.
Brenda 1-9 muajve zvogëlohen kollitja dhe gulçimi. Brenda 5-15 vjetësh, risku i goditjes në tru bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin. Brenda 10 vjetësh, shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive përgjysmohet krahasuar me atë të duhanpirësve. Brenda 15 vjetësh, risku i sëmundjeve së zemrës bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin.
Ndryshe, shanset që duhanpirësit ta lënë duhanin me sukses janë 84% më të mëdha kur marrin këshillim intensiv nga mjeku.
- Nuk e fitoi “BBV3”, Jul Deda rrëfen gabimin që ka bërë
- Këto janë 20 qytetet më të mira në botë për ushqime, sipas Time Out