Header

Sot, Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve

20 qershori është Dita Ndërkombëtare e Refugjatëve.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se tema e këtij viti është “Për një botë ku refugjatët janë të mirëpritur”.

OKB bën thirrje që më shumë se kurrë, tani të tregohemi solidarë me refugjatët. “Solidaritet do të thotë t’i mbajmë dyert hapur, të festojmë pikat e forta dhe arritjet e tyre dhe të reflektojmë mbi sfidat me të cilat përballen”, shkruhet në faqen online të Kombeve të Bashkuara.

Dita Botërore e Refugjatëve është një rast për të krijuar ndjeshmëri dhe mirëkuptim për gjendjen e tyre të vështirë.

Çdo minutë 20 njerëz lënë gjithçka pas, për t’i shpëtuar luftës, persekutimit apo terrorit.

Ekzistojnë disa lloje të personave të zhvendosur me forcë.

Refugjatët: Refugjat është dikush që u largua nga shtëpia dhe vendi i tij/saj për shkak të “frikës së bazuar nga persekutimi për shkak të racës, fesë, kombësisë, anëtarësimit në një grup të caktuar shoqëror ose opinionit politik”, sipas Kombeve të Bashkuara.

Azilkërkuesit: Janë refugjatë dhe kanë ikur nga shtëpitë e tyre siç bëjnë refugjatët, por kërkesa e tyre për statusin e refugjatit nuk është vlerësuar ende përfundimisht në vendin ku ata kanë shkuar.

Të zhvendosurit brenda vendit: Janë ata njerëz që nuk kanë kaluar një kufi ndërkombëtar, por janë zhvendosur në një rajon të ndryshëm nga ai që ata e quajnë shtëpi brenda vendit të tyre.

Në bazë të Konventës të OKB të vitit 1951, refugjatët gëzojnë këto të drejta:

E drejta për të mos u dëbuar, përveç në kushte të caktuara, të përcaktuara rreptësisht;

E drejta për të mos u ndëshkuar për hyrje të paligjshme në territorin e një shteti kontraktues;

E drejta për punë;

E drejta për strehim;

E drejta për arsimim;

E drejta për ndihmë dhe ndihmë publike;

E drejta për lirinë e fesë;

E drejta për të hyrë në gjykata;

E drejta për lirinë e lëvizjes brenda territorit;

E drejta për t’u lëshuar dokumente identiteti dhe udhëtimi.

You may also like ...