Për herë të parë me bileta hyrëse në Venezia, prova për vizitorët do të zbatohet nga muaji prill
Venecia do të testojë aplikimin e një bilete për hyrjen e vizitorëve në kanalet e saj nga prilli i ardhshëm. Kjo do të jetë hera e parë që një masë e tillë zbatohet në mbarë botën, sipas kryebashkiakut të qytetit italian. Qëllimi është të menaxhohen flukset turistike gjatë festave publike dhe disa fundjavave të verës kur numri i vizitorëve arrin kulmin.
“Është hera e parë në botë që do të shihni diçka të tillë…një qytet të rezervuar”, tha kryebashkiaku Luigi Brugnaro gjatë një konference për shtyp.
Kur dhe si do të zbatohet masa e biletave në Venecia:
Kufizimet do të zbatohen nga ora 08:30 deri në orën 16:00, fillimisht për një total prej 29 ditësh dhe do të mbulojnë shumicën e fundjavave nga 25 prilli deri në mes të korrikut 2024. Vizitorët do të duhet të bëjnë një rezervim online dhe do të paguajnë shumën prej 5 euro për të marrë një kod QR që do të kontrollohet në pika të veçanta hyrjeje ku do të lejohet aksesi në rrethet historike të Venecias.
Kufizimet nuk do të zbatohen për ishujt më të vegjël në lagunë, si Murano. Gjobat do të variojnë nga 50 deri në 310 euro dhe do të vendosen për ata që shkelin masat. Banorët e qytetit ose personat e lindur në Venecia, si dhe studentët, punëtorët dhe pronarët e shtëpive në qytet do të përjashtohen nga masat.
Vizitorët nën moshën 14 vjeç do të regjistrohen, por aksesi do të jetë falas. Turizmi masiv dhe përmbytjet janë problemi i përhershëm i Venecias.
“Ne duam të masim rezultatet e këtij testi, duam të masim efektin e sistemit të rezervimit”, tha kryebashkiaku, i cili beson se eksperimenti fillimisht do të rezultojë në humbje parash.
- Fjalori i gjuhës shqipe do të pasurohet me 70 mijë fjalë të reja
- Arti në Zi/ Ndahet nga jeta në moshën 73-vjeçare mjeshtri i humorit, Zef Deda