Një koleksion i rrallë që i përket këngëtarit të ndjerë britanik Freddie Mercury ka dalë në ankand.
Janë rreth 30,000 objekte që i përkisnin yllit të muzikës, të cilat deri më tani janë ruajtur në rezidencën e tij në Kensington, falë përkushtimit të Mary Austin, një ndër miket më të ngushta e të besuara të liderit të grupit Queen.
Ndër sendet që do të jenë në këtë ankand janë piktura, tekste këngësh të shkruajtura me dorë, kostume dhe veshje skenike.
Vetë drejtori i ankandit shpjegon më shumë rreth këtij koleksioni të rallë.
“Ky koleksion nuk ka të bëjë vetëm me gjërat e bukura me të cilat Fredi pëlqente të rrethohej. Bëhet fjalë gjithashtu edhe për historinë e tij pra për momentet më kulminante në karrierën e tij profesionale si mjeshtri i madh i skenës. Ai ishte personi që krijoi disa nga tekstet më të paharrueshme për fundin e shekullit të 20-të.“
Ajo që ka më shumë peshë në këtë ankand është pianoja e cila planifikohet të shitet për 2-3 milionë Paund.
Me këtë piano ai kompozoi këngën hit të vitit 1975 “Bohemian Rhapsody”.
Pjesë e koleksionit është edhe kjo kurorë e modeluar si ajo Shën Eduardit, por edhe peliçja sintetike që Mercury veshi gjatë interpretimit të ‘God Save the Queen’, i fundit koncert live i grupit legjendar në vitin 1986.
Vokalisti i grupit të njohur rock ‘Queen’ ndërroi jetë në vitin 1991 në moshën 45-vjeçare, vetëm 24 orë pasi konfirmoi në një deklaratë se kishte SIDA dhe u bëri thirrje fansave të tij që t’i bashkohen luftës kundër kësaj sëmundjeje.
Koleksioni ekspozohet në Londër dhe do mbyllet në ditën që këngëtari i njohur do mbushte 77 vjeç, pra më 5 Shtator.