Header

Anulohen festimet për ditëlindjen e Mbretëreshës

Për herë të parë gjatë mbretërimit 68-vjeçar të Mbretëreshës Elisabeta e Dytë, Pallati Buckingham kërkoi anulimin e ceremonive të zakonshme për përvjetorin e 94 të lindjes së monarkes më jetëgjatë të botës.

Mbretëresha gjithashtu ka kërkuar që të mos qëllohet në ajër me topa për shkak të pandemisë botërore të koronavirusit.

Britania ka shënuar mbi 14 mijë viktima dhe deri tani është vendi i pestë me numrin më të madh të vdekjeve nga pandemia. Gjuajtjet ceremoniale top në disa pjesë të Londrës, zhvillohen për të shënuar përvjetorë apo ditëlindje të familjes mbretërore. Ditëlindja e mbretëreshës Elizabeta është më 21 prill.

“Madhëria e Saj ka kërkuar mos zhvillimin e ceremonive të posaçme dhe as të shtënat përshëndetëse me top pasi ajo ndjen se tani nuk janë rrethanat e përshtatshme,” citohet nga agjencia Reuters, një burim nga Pallati Buckingham.

Britania është në javën e katërt të izolimit, që ka detyruar bizneset të mbyllen dhe qytetarët të qëndrojnë në shtëpi.

Pallati Mbretëror, deklaroi muajin e kaluar se parada e zakonshme për festimin e ditëlindjes së Mbretëreshës nuk do të zhvillohet në formën tradicionale për shkak të masave kufizuese.

You may also like ...