Zorro mbush 100 vjet

Heroi i maskuar, Zorro, lindi 100 vite më parë, kur u shfaq në një revistë amerikane për tu bërë shpejt një ikonë ndërkombëtare bashkë me homologë si Tarzani apo Supermeni. Kalorësi me maskë, i veshur me të zeza, u krijua nga shkrimtari amerikan Johnston McCulley në gusht 1919. Dhe ai më pas hapi rrugën për një shekull të tërë superheronjsh.

Zorro është heroi i parë i maskuar. Para Batmanit, para Supermenit, para Wonder Women, para të gjithëve ishte Zorro.

Karakteri është alteregoja e një njeriu të fisshëm spanjoll, në shekullin e 19, Don Diego de la Vega, që kthehet në Kaliforni pas studimeve në Spanjë dhe zbulon se gjithçka është në duart e tiranëve të korruptuar dhe mizorë.

Kur ai vendos të ndërhyjë, zgjedh të maskohet nën një maskë dhe kapele të zezë. Ai përdor shpatën e tij për të lënë si shenjë një Z, pasi mund të këqijtë.

Më shumë se 50 filma kanë pasur si hero kryesor Zorron. Në dy prej tyre, petkat e heroit i veshi aktori spanjoll Antonio Banderas, që bashkë me Catherine Zeta Jones, i bënë filmat ndër më të pëlqyerit e Hollivudit.