Zbatimi i reformës në drejtësi, Meta takon Arvizun dhe Lu

Reforma në drejtësi si dhe zbatimi i saj ka qenë tema e bisedës mes kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe Zv.Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet e Sundimit të Ligjit dhe Trafikut Ndërkombëtar Narkotik,  ish- ambasadorit Alexander A. Arvizu. Ky i fundit shoqërohej nga ambasadori i SHBA në Shqipëri  Donald Lu. Kryetar i Kuvendit, Meta dhe Zv.Ndihmës Sekretari i SHBA, Arvizu biseduan mbi ecurinë e reformës në drejtësi, mbi bashkëpunimin në drejtim të sundimit të ligjit dhe për luftën kundër trafiqeve të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Arvizu vlerësoi miratimin me konsensus të ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe në veçanti shprehu mirënjohjen e SHBA për rolin lehtësues që kryetari i Kuvendit Meta luajti në fazat përmbyllëse të votimit në parlament të kësaj reforme. . Meta theksoi se reforma në drejtësi duhet të shoqërohet me dekriminalizimin e plotë të politikës dhe institucioneve shqiptare, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të besueshëm politik dhe institucional për zbatimin me efikasitet të reformimit të tërë sistemit të drejtësisë.