Vihet paqja, ultrasit e PSG rikthehen në stadium

“Parku i Princave” është gati që të presë grupin e tifozerisë Ultras të PSG, i quajtur ndryshe “Collectif ultras Paris” ky grup pritet të jetë në shkallët e stadiumit në sfidën kundër Bordosë , një prezencë që këtij impianti i mungon prej 5 vitesh.

Pronarët e PSG vendosën që t’i japin një tjetër shans grupimit ‘Collectif’ me këtë të fundit që do të tentojnë të ndihmojë kampionët e Francës për të rimarrë veten pas një fillimi të vështirë të sezonit.

Në javët e fundit vetë lojtarët e PSG kishin shprehur dëshirën për rikthimin në stadium të tifozerisë së organizuar duke bërë që paqja të vendoset zyrtarisht, pasi edhe prefektura u ka ndezur dritën jeshile pjesëtarëve të grupimit ‘Collectif’.

Në vitin 2010, përpara se manjatët nga Katari të merrnin pronësinë e klubit parizien, një person mbeti i vdekur pas përleshjeve mes 2 fraksioneve të tifozerisë më të dhunshme të Parisit.