Venus Williams në telashe

Telashe për Venus Williams, në prag të turneut të “Wimbledon”-it. Autoritet në Florida po hetojnë rreth një aksidenti rrugor, ku u përfshi makina e tenistes, që përplasi një automjet tjetër, duke shkaktuar vdekjen e pasagjerit në vendin e parë. Me sa duket, ish-numri një i botës nuk respektoi semaforin dhe kaloi me të kuqe, duke shkaktuar dhe aksidentin.

Ngjarja ndodhi më 9 qershor, pranë Miamit. Pas përplasjes 78-vjeçari Jerome Barson qëndroi për dy javë në terapi intensive dhe më pas ndërroi jetë.

Tenistja nuk u plagos. Sipas raportit të policisë nuk ishte as nën efektin e alkoolit apo të drogës dhe as nuk u shpërqendrua nga ndonjë aparat elektronik.

Sipas medias, të dyja palët pretendojnë se kishin kaluar me semafor jeshil, ishin brenda limiteve të shpejtësisë dhe nuk mund ta shmangnin dot përplasjen. Bashkëshortja e viktimës ka kërkuar dëmshpërblim për pasojat.

Për momentin nuk është ngritur asnjë akuzë penale ndaj tenistes.