Tifozët Kuq e Zi mbështesin Shqipërinë sonte në Francë

Shqipëria luan sonte në mbrëmje me kampionen e botës në fuqi, Francën, në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Euro 2020.

Mijëra tifozë kuq e zi kanë mbërritur në Francë për të ndjekur lojën nga afër dhe për ti dhënë mbështetje skuadrës Kuq e Zi. Rrjetet sociale jane ngjyrosur me flamuj shqiptar nga tifozë të cilët postojnë foto prane Kullës Eiffel në mbështetje të skuadrës tonë.

Ndërkaq sfida e sotme është delikate për të dyja ekipet sidomos për Francën që ka më shumë pretendime dhe duhet të kapë një nga dy vendet e para.

Me Turqinë e Islandën që kanë të njëjtën sasi pikësh, trajneri Deshamp nuk kënaqet me asnjë rezultat tjetër nesër veç fitores. Ai është shprehur se ekipi i tij do luajë me kujdes pasi në të shkuarën Shqipëria i ka hapur jo pak probleme Francës.

Ndërsa trajneri i Shqipërisë, Reja, deklaroi se Shqipëria do të luajë për rezultat pozitiv edhe pse përballë ka një kundërshtar shumë më të fortë se vetja.

“Duhet të bëjmë sa më pak gabime ndaj Francës. Do luajmë me kujdes dhe do të bëjmë çmos që të lëmë sa më pak hapësira pasi Francës i duhen shumë pak hapësira për të shënuar. Do kërkojmë të mbulojmë sa më mirë sidomos Griezman.” – tha Reja.