Spanjë, gjenden 600 kg monedha romake me vlerë marramendëse

Punëtorë ndërtimi në Spanjë, teksa po kryenin një punë rutinë në disa tuba uji në jug të vendit, kanë gjetur një sasi të konsiderueshme monedhash romake, me peshë 600 kilogramë.

“Bëhet fjalë për një koleksion unik dhe raste të tilla ka patur fare pak”, ka deklaruar Ana Navarro, drejtoreshë e Muzeut Arkeologjik në Sevilia.

Monedhat prej bronzi, të cilat datojnë nga fundi i shekullit të tretë dhe fillimi i të katërtit, u gjetën të enjten brenda 19 amforave romake, një lloj qypi, në qytetin e Tomares, në afërsi të Sevilias.

Navarro refuzoi të jepte një vlerë të saktë të monedhave, duke thënë vetëm se ato vlejnë disa milionë euro.

Monedhat kanë të gdhendur emrat e perandorëve Maksimian dhe Kostantin dhe duket se nuk janë përdorur, pasi në to nuk ka asnjë gjurmë. Mendohet se ato do të shërbenin për të paguar ushtrinë ose shërbyesit civilë.

“Disa prej tyre ishin të reja dhe disa prej tyre madje të lara në argjend, jo vetëm në bronz”, deklaroi Navarro.

Ajo sqaroi se nuk mund të jepte një vlerë ekonomike sepse monedhat kanë një vlerë historike dhe për rrjedhojë nuk mund të bëhet një llogari e saktë.

Autoritetet lokale kanë pezulluar ndërkohë punën në tubacionet e ujit dhe planet për të kryer një gërmim arkeologjik në vendin ku u bë zbulimi.

Romakët pushtuan gadishullin iberik në vitin 218 para Krishtit dhe e mbajtën atë të pushtuar deri në fillim të shekullit V, kur në perëndim të perandorisë u spostuan nga Visgotët.1461960769_mone3 1461960755_mone2 1461960605monedha