Skandali seksual i Weinstein, në një film horror

Skandali i ngacmimeve seksuale, me në qendër producentin Harvey Weinstein, së shpejti do të vijë në ekranet e kinemave në formën e një filmi horror, pasqyruar ky nga një regjisor si Brian De Palma.
De Palma, i cili njihet për filmin horror “Carrie” dhe atë kriminal “Scarface” mes viteve ’70-’80, është duke e ndjekur me shumë imtësi historinë e Weinstein.
Weinstein është ngarkuar me akuza të rënda, mes të cilave edhe për përdhunim, pasi u vetëdorëzua në policinë e New York gjatë javës së kaluar. Avokati i tij është shprehur se ai nuk pranon asnjë prej akuzave që rëndojnë mbi të.
“Di që shumë njerëz janë përfshirë në këtë skandal “,– tha De Palma gjatë një interviste në Paris. “Kam dëgjuar thuajse të gjitha historitë ndër vite”.
Ai shtoi më tej se regjisorët duhet të “sigurojnë besimin dhe dashurinë e aktorëve” dhe se “nëse shkelin njërën prej këtyre, në çfarëdo niveli, kjo është gjëja më e keqe që mund të bëjnë ata. Pavarësisht epsheve personale”.